Programi Dramaturgji - Bachelor

Drejtimi i Dramaturgjisë , si pjesë e Degës së Artit Dramatik, ka filluar nga puna në vitin akademik 1996/1997, e iniciuar nga menaxhmenti i atëhershëm i fakultetit dhe nën përkujdesjen e një grupi eminent ekspertësh që vinin nga shkolla të njohura të Ballkanit dhe të Evropës. Me atë rast, studimet e dramaturgjisë në Fakultetin e arteve në Prishtinë u paramenduan si një fushë e gjerë studimi dhe hulumtimi në fushën e dramaturgjisë për shumë veprimtari komplementare të cilat konvergojnë drejt një nocioni qendror, nocionit të dramës. Një fushë e këtillë, dhe një vizion i këtillë për një lëmi të rëndësishme për zhvillimin e arteve dramatike, e që në shumë vende evropiane është e shpërndarë nëpër akademi dhe fakultete të ndryshme e që merren me dramë, film si dhe me teori të dramës, në kuadër të studimeve të dramaturgjisë në Degën e Dramaturgjisë të DAD të Fakultetit të Arteve në Prishtinë është e shtrirë në tërësinë e sajë. Ky drejtim, një studenti të diplomuar i ofron një përzgjedhje profesionesh për të cilat kërkohet thirrja e dramaturgut, si dhe një mundësi të madhe punësimi në tregun e punës, Por, në të njëjtën kohë, edhe për kohën e studimeve, i mundëson orientimin drejt njërës prej tre fushave, do të thotë, lëndëve kryesore artistike: të shkruarit të dramës, d.m.th, të shkruarit për teatër, skenarit të filmit apo edhe teorisë së dramës, do të thotë dramatologjisë, duke nënkuptuar këtu edhe analitiken e dramës dhe të filmit.

Përshkrimi i drejtimit të Dramaturgjisë
Ky program është i dizajnuar si program katërvjeçar i studimeve në lëmin e dramaturgjisë. Ky drejtim është kompleks, i veçantë dhe bazik në lëmin e arteve dramatike. I njëjti drejtim siguron njohuri teorike edhe praktike mbi dramaturgjinë. Do të thotë studentët, gjatë procesit katër vjeçar të studimeve avancohen në lëmin e teorisë, estetikës , analitikes së dramës, teorisë së filmit, estetikës së filmit, estetikës së teatrit dhe koreodramës në poetikën dhe praktikën e saj, si dhe mësojnë mjeshtërinë e të shkruarit të dramës dhe të skenarit të filmit.

Objektivat
   - Studentët e Dramaturgjisë do të marrin njohuri të mjaftueshme në të gjitha fushat e krijimit, vlerësimit të dramës dhe të skenarit të filmit.
   - Studentët përgatiten për karrierë profesionale në fushën e dramës dhe teatrit, por edhe të mediumeve të tjera si filmi, radioja apo edhe televizioni, duke krijuar eksperienca të mjaftueshme si në anën praktike ashtu edhe atë teorike.
   - Studentët e mirë marrin pjesë nëpër festivale të ndryshme studentore brenda dhe jashtë vendit qoftë si autor dramash apo edhe skenarësh të metrazheve të ndryshme.
   - Si rezultat i ligjëratave studentët e këtij drejtimi involvohen në produksione teatrore, filmike, radio dhe televizive si dhe përgatiten për nivelin Master.

Rezultatet e të nxënit
Studentet më përfundimin e këtij programi të studimit do të:
   - Fitojnë njohuri për të punuar si dramaturgë, skenarist, por në të shumtën e rasteve edhe si regjisor të teatrit në veçanti, pastaj kritikë të dramës dhe të teatrit, etj.
   - Të komunikojnë në mënyrë efektive edhe më gjuhën e dramës, teatrit, filmit, televizionit dhe regjisë multimediale.
   - Të demonstrojnë aftësi të liderit për të udhëhequr me ekipin me të cilin punojnë.
   - Të mendojnë në mënyrë kritike dhe sistematike për trendet e dramës, skenarit, teatrit, filmit apo edhe të teorisë së dramës, teorisë dhe estetikës së filmit, etj.
   - Të mendojnë në mënyrë kritike për zhvillimin e artit teatror dhe atë filmik dhe format apo zhanre të reja të dramës e teatrit, apo skenarit dhe filmit reja të.
   - Të jenë në gjendje që të shkruajnë, botojnë dhe publikojnë drama, punime teorike, libra dhe broshura si dhe të luajnë një prej roleve më kruciale në lëmin e teatrit apo filmit.