Historiku i Fakultetit

Fillet e Fakultetit të Arteve i gjejmë në Akademinë e Artit Figurativ, e cila qe themeluar nga Kuvendi i Kosovës më 31 korrik 1973.

Akademia e filloi punën më 25 dhjetor të vitit akademik 1973/74.

Në vitin akademik 1975/76 u formua Dega e Artit Muzikor, ndërsa nga viti akademik 1989/90 u themelua edhe Dega e Arteve Dramatike, fillimisht me Drejtimin e Aktrimit.

Në vitin akademik 1986/87 Akademia u shndërrua në Fakultet të Arteve, me emërtimin Fakulteti i Arteve në Prishtinë. Në këtë kontekst, themelimi i Akademisë e më vonë i Fakultetit të Arteve ishte kurorëzim i përpjekjeve shumëvjeçare dhe të suksesshme të krijuesve të seksioneve të arteve figurative, arteve muzikore dhe arteve dramatike që vepronin në kuadër të SHLP-së prej vitit 1958 deri në fund të viteve '80.

Aktualisht, Fakulteti i Arteve i ka këto tri degë:

- Degën e Arteve Figurative me pesë drejtime: Pikturë, Skulpturë, Grafikë, Dizajn grafik dhe Skenografi;

- Degën e Arteve Muzikore me nëntë drejtime: Teori e muzikës, Kompozim, Dirigjim, Solokëndim, Piano, Instrumentet me harqe, Instrumente me frymë, Pedagogji e përgjithshme muzikore, Muzikologji dhe Etnomuzikologji;

- Degën e Arteve Dramatike me katër drejtime: Aktrim, Regji teatri, Dramaturgji dhe Regji filmi.

Deri më tash në Fakultetin e Arteve kanë diplomuar më shumë se 900 studentë me mësim në gjuhën shqipe.

Në vitin 2001, Senati i Universitetit të Prishtinës aprovoi planet mësimore të Fakultetit të Arteve të mbështetura në Deklaratën e Bolonjës. Në gjysmën e dytë të vitit 2004 u miratua plani mësimor për studime pasdiplomike - Master në Degën e Arteve Figurative (drejtimet Pikturë, Skulpturë, Grafikë dhe Dizajn grafik) dhe në Degën e Arteve Dramatike (drejtimet Aktrim, Regji teatri, Regji filmi dhe Dramaturgji).

Planet e reja mësimore (4+1) sipas Deklaratës së Bolonjës për këtë fakultet u miratuan nga Senati i Universitetit të Prishtinës në vitin 2007.

Në këtë vit akademik, Dega e Artit Muzikor me planprogram ka paraparë edhe studime pasdiplomike-Master në drejtimet: Instrumentale, Kompozim-dirigjim, Teori e muzikës dhe Pedagogji e përgjithshme muzikore.

Në këtë vit akademik në Fakultetin e Arteve janë 680 studentë në studimet themelore (Bachelor) dhe 179 studentë në studimet Master.

Në procesin mësimor janë të angazhuar 81 mësimdhënës e asistentë në marrëdhënie të rregullt pune dhe 60 mësimdhënës e ligjërues me punë plotësuese.