Ceremoni përkujtimore për nder të kompozitorit Rexho Mulliqi

28 Shkurt 2022
SHARE

Në kujtim të jetës dhe veprimtarisë së kompozitorit të mirënjohur shqiptar, Rexho Mulliqi, në 40 vjetorin e tij të vdekjes, është organizuar sot ceremoni përkujtimore nga Fakulteti i Arteve - Departamenti i Artit Muzikor në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës dhe Ministrine e Kultures.

Në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, ku u mbajt ceremonia morën pjesë personalitete të shumta politike, akademike e artistike, drejtues të institucioneve qendrore të kulturës dhe trashëgimisë si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.

Për jetën dhe krijimtarinë e kompozitorit Mulliqi folën prof. Rafet Rudi, kompozitor – dirigjent dhe prof. asist. Rreze Kryeziu-Breznica - muzikologe. Po ashtu u realizuan dy pika artistike nga krijimtaria e kompozitorit Mulliqi, “Baresha” të cilën e interpretoi në violinë Arsim Gashi, dhe “Nji lule” nga sopranoja Urta Haziraj, të cilat u shoqëruan në piano nga prof. Valton Beqiri.

Rexho Mulliqi është njëri ndër krijuesit e traditës muzikore profesioniste në Kosovë. Ai është ndër të parët krijues të këngës korale, si autor i simfonisë së parë shqiptare në Kosovë, i së dytës në muzikën e gjithëmbarshme shqiptare, përfshirë edhe Shqipërinë.

Mulliqi mbetet kompozitori më i madh që ka dhënë Kosova dhe njëri ndër krijuesit më të mëdhenj të muzikës artistike në botën shqiptare.