Profesor Enver Petrovcit i ndahet titulli “Profesor Emeritus”

16 Mars 2023
SHARE

Senati i Universitetit të Prishtinës, më 30.01.2023, aprovoi kërkesën e Këshillit të Fakultetit të Arteve, të mbështetur nga Këshillat e Fakultetit Filozofik dhe Ekonomik, që profesor Enver Petrovcit t’i caktohet titulli Profesor Emeritus.

Andaj, dje patëm kënaqësinë që përmes një ceremonie simbolike, në zyrën e dekanit të Fakultetit të Arteve, në prezencën e kolegëve të Departamentit të Aktrimit, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi, i dorëzoi profesor Enver Petrovcit titullin Profesor Emeritus, me motivacionin: "Për kontributin dhe përkushtimin shumëvjeçar dhënë në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, për avancimin e vlerave akademike dhe krijimin e kuadrove të reja në artet skenike". Profesor Petrovci ishte ndër aktorët e parë që iu bashkua nismës, së udhëhequr nga profesor Faruk Begolli, për hapjen e Katedrës së Aktrimit në Fakultetin e Arteve, para tri dekadash. Profesor Petrovci edhe sot me aktivitetin, energjinë dhe kreativitetin e pakufishëm artistik, vazhdon të mbetet frymëzim dhe udhërrëfyes për shumë breza artistësh.

Fakulteti i Arteve, duke nderuar profesorin Petrovci vlerëson të kaluarën e çmuar të tij si institucion.

https://fb.watch/jlcSuYkM7S/