Fakulteti i Arteve dhe Devolli Corporation nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për konkurs dizajni në bashkëpunim me Prince Caffe

22 Prill 2026
SHARE

Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës ka formalizuar Memorandumin e Bashkëpunimit me Devolli Corporation për realizimin e një projekti kreativ. Ky projekt synon të lidhë drejtpërdrejt arsimin artistik me praktikën profesionale dhe industrinë kreative.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi do të organizohet një konkurs krijues për zhvillimin e një koleksioni të veçantë të dizajnit për filxhanët dhe paketimet e kafesë, për Prince Caffe, duke përfshirë studentë nga fushat e dizajnit, si dhe studentë nga specializime të tjera të përafërta në Fakultetin e Arteve.

Aktiviteti do të zhvillohet gjatë muajve Prill–Maj 2026, me një kohëzgjatje prej tri javësh, dhe do të përfshijë procesin e aplikimit, përzgjedhjen e pjesëmarrësve përmes vlerësimit të portfoliove, zhvillimin e koncepteve krijuese, mentorimin akademik dhe profesional, si dhe prezantimin final të punimeve.

Në kuadër të këtij projekti do të ndahen tri çmime për punimet më të suksesshme:

  • Çmimi i parë – 1000 euro
  • Çmimi i dytë – 750 euro
  • Çmimi i tretë – 500 euro

Përveç komponentës krijuese, projekti përfshinë edhe aktivitete hulumtuese dhe vizita studimore, si dhe zhvillimin e koncepteve në Laboratorin e Dizajnit dhe Inovacioneve të Fakultetit të Arteve, duke u ofruar studentëve një përvojë të drejtpërdrejtë bashkëpunimi me industrinë.

Fakulteti i Arteve

22.04.2026