Profesoresha Dafina Zeqiri Nushi, Sanije Matoshi dhe Florita Raifi Ajdini me koncert autorial dhe promovim monografie shkencore në Zürich

23 Qershor 2026
SHARE

Profesoresha e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, kompozitorja Dafina Zeqiri Nushi, së bashku me profesoreshat Sanije Matoshi dhe Florita Raifi Ajdini, do të prezantohen në një mbrëmje artistike dhe akademike në Zürich, ku do të mbahet koncert autorial me vepra të kompozitores dhe promovimi i monografisë shkencore kushtuar timbrit në artin e kompozimit.

Koncerti autorial përfshin një përzgjedhje të veprave për vokal dhe piano nga krijimtaria e Dafina Zeqiri Nushit, të interpretuara nga Sanije Matoshi, mezzosoprano, dhe Florita Raifi Ajdini, piano. Programi sjell ciklin e këngëve “Mëngjes”, “Dremit liqeri”, “Ti dhe hëna”, “Në rrugë”, “Malli” dhe “Këngë e heshtur”, të kompozuara mbi poezinë e autorëve të shquar shqiptarë Lasgush Poradeci, Ismail Kadare dhe Azem Shkreli. Në program përfshihet gjithashtu edhe vepra për piano solo “Fantazi dhe fugë”, si dhe dy këngë të bazuara në materiale tradicionale shqiptare, “O bylbyl i mjerë” dhe “Moj e bukura More”.

Një pjesë e rëndësishme e këtij programi përbëhet nga vepra të kompozuara gjatë këtij viti, të cilat do të interpretohen në premierë botërore, duke e bërë këtë koncert një ngjarje të rëndësishme për prezantimin e krijimtarisë së re muzikore shqiptare në një kontekst ndërkombëtar.

Në të njëjtën mbrëmje do të promovohet edhe monografia shkencore e autores, me titull “Timbri dhe estetika e ngjyrës: Dimensionet e tingullit në artin e kompozimit”. Libri është rezultat i një kërkimi të gjatë teorik, analitik dhe krijues mbi timbrin si një nga elementet më komplekse dhe më dinamike të gjuhës muzikore bashkëkohore. Studimi trajton timbrin jo vetëm si fenomen akustik, por edhe si kategori estetike, perceptuese dhe dramaturgjike, duke shqyrtuar rolin e tij në zhvillimet e muzikës së shekujve XX dhe XXI, në transformimet e orkestrimit, në teknikat bashkëkohore instrumentale dhe në ndërtimin e identitetit artistik të veprës muzikore.

Ky aktivitet përfaqëson një prezantim të rëndësishëm të krijimtarisë artistike dhe veprimtarisë akademike të stafit të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës në arenën ndërkombëtare, duke vënë në pah punën krijuese, interpretuese dhe kërkimore të tri profesoreshave pjesëmarrëse në këtë ngjarje.

Aktiviteti do të mbahet më 23 qershor 2026 në Zürich, me mbështetjen e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Zürich, ndërsa botimi i monografisë është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.