Rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, iu uroi mirëseardhje partnerëve nga Kosovo United States Alumni (KUSA) dhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, si dhe përfituesve të granteve nga ana e UP-së, duke i falënderuar partnerët dhe duke i uruar përfituesit në implementim sa më të suksesshëm të projekteve, me mundësi për të vazhduar edhe më tutje bashkëpunimin.
Gjithashtu rektori Qerimi theksoi rëndësinë e këtyre granteve si një zhvillim për të përmirësuar cilësinë e arsimit të lartë.
Ky program vjetor i granteve synon të ndihmojë institucionet e arsimit të lartë dhe OJQ-të të lidhura me arsimin në Kosovë, për të zhvilluar dhe përmirësuar sektorin e arsimit të lartë.
Prorektorja prof. Arta Basha-Jakupi theksoi se është moment për t’u festuar që UP-ja është zgjedhur si një institucion partner dhe i besueshëm, duke shprehur rëndësinë që edhe të tjerët të informohen për këto mundësi që po na ofrohen përmes programeve të tilla.
Znj. Remzije Potoku-Kerqeli, përfaqësuese e ambasadës amerikane, u shpreh e gëzuar që u takua me përfituesit e këtyre granteve, duke theksuar se ka qenë një përzgjedhje meritore. Gjithashtu ajo njoftoi edhe për mundësi të tjera për të aplikuar dhe përfituar edhe në fusha të tjera të ndryshme.
Të pranishëm në takim ishin edhe prorektorja prof. Pranvera Breznica-Selmani, dekani i Fakultetit të Arteve, prof. Hazir Haziri, ai i Fakultetit të Filozofisë, prof. Dashamir Berxulli, dhe zv.kryesuesja e KD-së, znj. Arta Shehu-Zaimi, e cila u shpreh e kënaqur me arritjet e UP-së, të cilat janë me rëndësi për cilësinë e UP-së dhe falënderoi për mbështetjen dhe kontributin e tyre.
Gjithashtu edhe znj. Gresë Koca shprehu entuziazmin e fillimit të implementimit të këtyre projekteve dhe tha se mezi presin të marrin pjesë në takimet e ardhshme dhe aktivitetet tjera.
Përfituesit e projekteve janë prof. Arsim Canolli, Departamenti i Antropologjisë, Fakulteti Filozofik UP.
Titulli i projektit: Themelimi i “Institutit të Antropologjisë” në Fakultetin Filozofik të UP-së.
Prof. Taulant Qerkini, Fakulteti i Arteve, Departamenti i Arteve Pamore, UP.
Titulli i projektit: Design & Sustainability LAB – qendra e inovacionit digjital për përmirësimin e aftësive në Artet e Aplikuara dhe Media në UP.
Prof. Ferat Krasniqi, Departamenti i Gjeografisë, Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore, UP. Titulli i projektit: Teknologjitë me burim të hapur për kërkimin dhe zhvillimin gjeohapësinor
Prof. Arsim Canolli e falënderoi shumë ambasadën amerikane për mbështetjen e dhënë në Departamentin e Antropologjisë dhe shprehu nevojën që këto projekte të jenë të qëndrueshme edhe në të ardhmen, duke ndihmuar në projekte të tilla.