Dega e Arteve Dramatike

Departamenti i Arteve Dramatike (DAD) është program studimor në Fakultetin e  Arteve me 250 studentë aktivë, 32 profesorë me kohë të plotë, profesor me kohë të pjesshme nga Universiteti i Prishtinës dhe 20 profesorë ndihmës me kohë të pjesshme dhe 3 profesorë vizitorë.

Programi i Arteve Dramatike, aktualisht, ofron studime në tetë profile studimi të nivelit BA. Profilet BA kanë 24 kredite ECTS, të ndara, në mënyrë të barabartë, ndërmjet katër viteve akademike. Gjuha e mësimdhënies në nivelin BA është gjuha shqipe.

Profilet e studimeve (BA) të akredituara në Programin e Arteve të Dramatike janë:

 

  • Aktrim (BA)

Profili i Aktrimit (BA) është i dizajnuar, që ta përgadisë studentët për punë, të cilët, në të ardhmen, pas diplomimit, të jenë në gjendje, që në mënyrë të pavaruar të luajnë role në teatër, film, Tv, radiodramë dhe forma të tjera të interpretimit performativ. Studentët do ta përvetësojnë mjeshëtrinë e aktrimit në lojën e tyre skenike. Do të arrijnë të komunikojnë në mënyrë profesionale me dramaturgë, skenaristë, regjisorë, producentë dhe me autorë të tjerë, që janë pjesë kreative dhe realizuese në veprat e artit skenik. Do të jenë në gjendje që të analizojnë dhe të komunikojnë në mënyrë kritike rreth çështjeve etike, kulturore dhe shoqërore. Do të jenë në gjendje që nën mbikëqyrjen e profesorëve të angazhohen profesionalisht në arenën e artit skenik.

 

  • Regji Teatri (BA)

Profili Regji Teatri është i dizajnuar, që të krijojë regjisorë profesionistë në fushë e regjisë së teatrit. Qëllimi i studimeve, në profilin regji teatrore, në Fakultetin e Arteve, është që t’u  mundësojë studentëve njohuri për formësimin e tyre profesional, krijues e artistik, në fushën e regjisë teatrore, në Kosovë dhe jashtë saj. Gjatë studimeve, studentët mësojnë, që në mënyrë të pavaruar, të shfrytëzojnë potencialin e tyre krijues, artistik dhe intelektual, për të punuar profesionalisht në realizimin e shfaqjeve teatrore, për nevojat e publikut kosovar dhe më gjerë. Studentët e regjisë së teatrit, gjithashtu, fitojnë njohuri të asistojnë edhe në pozicione të tjera të artit skenik: film dhe TV.

 

  • Regji Filmi dhe TV (BA)

Profili Regji Filmi dhe Televizioni, në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, është programi i vetëm i Regjisë së Filmit dhe Televizionit në Kosovë. Planprogrami i këtij profili është krijuar bazuar në programe të ngjashme të shkollave të filmit në rajon, si dhe në bazë të nevojave të industrisë brenda vendit tonë. Niveli Bachelor i profilit Regji Filmi dhe Televizioni, në Fakultetin e Arteve, është një program intenziv, katërvjeçar, ku mësohen të gjitha hapat e filmbërjës, prej idesë deri në projeksion, në nivel profesional me qëllim që t’i përgatisinë studentët për t’u bërë pjesë e industrisë së filmit dhe televizionit. Studentët e regjisë së filmit bashkëpunojnë vazhdimisht me studentët e profileve të tjera, për t’i realizuar vepra filmike dhe multimediale.

 

  • Dramatugji dhe Skenar Filmi dhe TV (BA)

Profili Dramaturgji dhe Skenar filmi dhe TV, në Fakultetin e Arteve, është themeluar në fillim të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. Qëllimi i këtij profili është t’i përgatisë studentët që: të krijojnë vepra dramatike, të cilat janë të ekspozuara ndaj konkurrencës së tregut në fushën artistike të teatrit dhe dramës dhe të cilat, në kontekstin e nevojave të tregut artistik, i përgjigjen këtyre kërkesave kulturore dhe artistike të përgjithshme të publikut.  Të njihen me përvojat dhe arritjet dramatike, dramaturgjike letrare dhe me teatrin modern dhe bashkëkohor në mënyrë të pavarur, të cilat sigurojnë mundësinë e pavarësisë në identifikimin e vlerave autentike artistike dhe dramatike. Studimet e ofruara nga ky profil mundësojnë angazhime profesionale të studentëve të diplomuar në institucione të ndryshme, në fushën e teatrit, filmit dhe televizionit dhe në përgjithësi në fusha të ndryshme të kulturës. Pas përfundimit të studimeve katërvjeçare, studentët fitojnë titullin “Bachelor i Dramaturgjisë dhe Skenarit të Filmit dhe TV”.

 

  • Dizajn Skene dhe Kostumografi (BA)

Ky profil u ndihmon studentëve që të fitojnë njohuri dhe shkathtësi për të punuar si skenografë dhe kostumografë në teatër, film artistik, dhe televizion. Të komunikojnë në mënyrë efektive edhe në gjuhën e dramës, teatrit, filmit, televizionit dhe regjisë multimediale. Po ashtu, përgjatë studimeve, studentët do të jenë të përgatitur të punojnë bashkë me profilet e tjera si: regjia, aktrimi, dramaturgjia  dhe skenari i filmit/tv, produksioni, kamera e montazhi. Studentët do të dijnë të gjykojnë dhe vlerësojnë në mënyrë të pavarur krijimin artistik, që i përket dizajnit skenik, idenë e kostumeve  dhe interpretimin e shfaqjes skenike në mënyrë sa më kreative.

 

  • Produksion (BA)

Profili i produksionit, është profil i ri, në kuadër të Programit të Arteve Dramatike në Fakultetin e Arteve, i akredituar në vitin akademik 2021/22. Qëllimi i studimeve, në këtë profil është që studentët të pajisen me njohuri mbi teorinë dhe praktikën e produksionit. Të njihen me teknikat themelore të punës praktike në sheshxhirime filmike. Ta kuptojnë produksionin teatror si dhe, po ashtu, të jenё nё gjendje ta aplikojnё punën e tyre si specialistë të pavarur në pozicione të ndryshme, në organizim dhe sektorë të tjerë të prodhimtarisë filmike dhe teatrore, në vend dhe jashtë tij.

 

  • Kamerë dhe Montazh (BA)

Është profil i ri, i akredituar për herë të parë në vitin akademik 2021/22.  Planprogrami, i cili implementohet në këtë profil është në hap me standardet profesionale të industrisë filmike dhe audiovizuale.  Ky profil, në  kuadër të Fakultetit të Arteve, në Prishtinë, është profili i vetëm i Kamerës dhe Montazhit të Filmit dhe Televizionit në Kosovë, dhe planprogrami është krijuar bazuar në programe të ngjashme, në shkollat e filmit në rajon, si dhe në bazë të nevojave të industrisë brenda vendit. Niveli Bachelor i këtij profili është një program intenziv katërvjeçar, ku mësohen të gjithë hapat e filmbërjes në nivel profesional, me qëllim që të përgatisë studentët për t’u bërë pjesë e industrisë së filmit dhe televizionit.

 

Rezultatet e të nxënit korrespondojnë me Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve, të publikuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës. Rezultatet e të nxënit për diplomat BA janë në përputhje me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve (EQF) të nivelit 6.

Krahas punës pedagogjike, në Programin e Arteve Dramatike, kujdes i veçantë i kushtohet edhe implementimit të punës praktike, që në rastet e caktuara lidhet me punë hulumtuese. Në nivelin Bachelor, kjo është e lidhur me punën praktike, në teatër dhe në film. Në këtë nivel, punët laboratorike janë të ndërlidhura edhe me bartjen e përvojave nga universitetet e tjera të sjella nga aktivitetet e përbashkëta të profesorëve tanë pjesëmarrës, qoftë në seminare, hulumtime artistike shkencore, festivale të filmit dhe teatrit, etj.  Studentët, në profilet tona përkatëse, me të diplomuar, janë të përgatitur për t’i përmbushur nevojat dhe kërkesat e tregut të punës artistike, në fushën e teatrit dhe të filmit.

 

Ajo që e përcakton dhe e dallon arsimimin në Programin e Arteve të Bukura është:

- Fitojnë njohuri për të punuar si dramaturgë, skenaristë, por në të shumtën e rasteve edhe si regjisorë të teatrit, të filmit dhe të televizionit, pastaj kritikë të dramës dhe të teatrit, etj;

- Të komunikojnë në mënyrë efektive edhe më gjuhën e dramës, teatrit, filmit, televizionit dhe regjisë multimediale;

- Të demonstrojnë aftësi për të udhëhequr me ekipin me të cilin punojnë;

- Të mendojnë në mënyrë kritike dhe sistematike për trendet e dramës, skenarit, teatrit, filmit, apo edhe të teorisë së dramës, teorisë dhe estetikës së filmit, etj;

- Të mendojnë në mënyrë kritike për zhvillimin e artit teatror dhe atij filmik si dhe për forma, apo zhanre të reja të dramës e teatrit, apo skenarit dhe filmit.

- Të jenë në gjendje që të shkruajnë, botojnë dhe publikojnë drama, punime teorike, libra dhe broshura, si dhe të luajnë njërin prej roleve më kyçe në lëmin e teatrit, apo filmit