Me dhimbje të thellë, Fakulteti i Arteve njofton se të hënën, më 7 tetor 2024, në moshën 86-vjeçare, u nda nga jeta Akademik Tahir Emra, një prej piktorëve më të shquar të artit shqiptar dhe personalitet i rëndësishëm i kulturës sonë.
I lindur në Gjakovë në vitin 1938, Emra përfundoi shkollën fillore në vendlindje dhe shkollën e mesme të artit në Pejë më 1959. Ai vazhdoi studimet në Akademinë e Arteve Figurative në Beograd, ku u diplomua në degën e pikturës më 1966. Më pas, ai u bë pedagog në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës, duke përfunduar studimet pasuniversitare më 1970. Në vitin 1974, u emërua docent në Akademinë e Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe në vitin 1982 u bë profesor ordinar.
Në vitin 2000, Emra u pranua si anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), dhe nga viti 2008 ishte anëtar i rregullt. Me një karrierë të pasur dhe ekspozita brenda e jashtë vendit, veprat e tij janë pjesë e koleksioneve prestigjioze ndërkombëtare, duke e bërë atë një përfaqësues të denjë të artit shqiptar.
Ceremonia komemorative për nder të tij do të mbahet të martën, më 8 tetor 2024, në orën 11:00 në ambientet e ASHAK-ut, ku do të zhvillohen homazhe deri në orën 12:30. Homazhet do të vijojnë pasdite në varrezat e qytetit të Gjakovës nga ora 15:00 deri në 16:00, ku do të bëhet edhe varrimi.
Ngushëllimet më të sinqerta u shprehen familjes dhe komunitetit artistik për këtë humbje të pazëvendësueshme.