Fakulteti i Arteve nderon figurat kyçe në 10-vjetorin e njohjes së Komitetit Olimpik të Kosovës nga IOC

11 Dhjetor 2024
SHARE

Në kuadër të shënimit të 10-vjetorit të njohjes së Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Fakulteti i Arteve në Universitetin e Prishtinës dha një kontribut të veçantë dhe domethënës për këtë ngjarje historike. Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për të gjithë ata që kontribuuan në anëtarësimin e KOK-së, individët me rëndësi kyçe u nderuan përmes portreteve artistike, 11 vepra të realizuara me shumë dashuri dhe përkushtim nga studentët e Fakultetit tonë.

Ky projekt artistik u realizua nga studentët e talentuar Dëbora Hetemi, Nderim Bytyçi, Eris Havolli, Dorontina Bytyçi, Hana Alimaj, Gention Qeli, Fjolla Goqi, Dorarta Bislimi, Erjon Osmanaj, të cilët punuan për dy muaj rresht me pasion dhe përkushtim të madh. Çdo portret që ata krijuan nuk ishte vetëm një akt artistik, por edhe një shprehje mirënjohjeje ndaj figurave më të rëndësishme të sportit.

Ky projekt nuk do të ishte i mundur pa udhëheqjen dhe përkrahjen e palodhshme të Profesor Agron Bytyçit, i cili me përkushtimin e tij të pamatë, frymëzoi studentët për të dhënë më të mirën e tyre. Profesor Agroni është një shembull i shkëlqyer i një mësimdhënësi që jo vetëm ndan dijen, por edhe kultivon dashurinë për artin dhe ndjenjën e përgjegjësisë ndaj komunitetit. Me urtësinë dhe mbështetjen e tij të vazhdueshme, studentët jo vetëm që realizuan një punë artistike të nivelit të lartë, por gjithashtu ndërtuan një urë të veçantë mes sportit dhe artit.

Studentët tanë, me gatishmërinë e tyre për të kontribuar vullnetarisht, treguan se talenti dhe përkushtimi i tyre nuk kanë kufij. Ata krijuan një trashëgimi artistike që do të kujtohet gjithmonë si një pjesë e këtij momenti historik për sportin dhe kulturën kosovare.

Me mirënjohjen më të thellë, falënderojmë Dëbora Hetemi, Nderim Bytyçi, Eris Havolli, Dorontina Bytyçi, Hana Alimaj, Gention Qeli, Fjolla Goqi, Dorarta Bislimi, Erjon Osmanaj, si dhe profesor Agron Bytyçin për këtë angazhim të jashtëzakonshëm. Ju jeni shembuj të shkëlqyer të pasionit, punës së palodhur, dhe ndjenjës së lartë të përgjegjësisë për komunitetin.

Ky moment nuk është vetëm një festë për sportin, por edhe një moment krenarie për artin dhe kulturën tonë. Ju na keni bërë të gjithëve të ndjehemi krenarë, duke treguar se arti, ashtu si sporti, është ambasadori më i mirë i shpirtit dhe kulturës së një kombi.

Faleminderit që e ngritët artin në lartësinë që i takon dhe përfaqësuat më së miri Fakultetin e Arteve dhe Universitetin e Prishtinës.