Njoftim për ndarjen nga jeta të Profesorit Emeritus Enver Petrovci

22 Shtator 2025
SHARE

Në emër të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, me dhimbje të thellë njoftojmë se është ndarë nga jeta aktori i përmasave ndërkombëtare dhe profesori ynë i shquar, profesor emeritus, Prof. Enver Petrovci.

Kujtojmë se figura e tij është nga më të ndritura që njeh kultura dhe artit shqiptar.

Profesor Petrovci ishte një personalitet i jashtëzakonshëm që la gjurmë të pashlyeshme në teatrin, filmin dhe arsimin universitar.
Me interpretimet e tij brilante dhe kontributin akademik të palodhur, ai u bë shembull frymëzimi për gjenerata të tëra studentësh dhe një gur themeli i Fakultetit tonë.

Në cilësinë e mësimdhënësit dhe krijuesit, ai i dha kulturës sonë kombëtare një pasuri të pakrahasueshme, duke e lartësuar emrin e Universitetit të Prishtinës dhe të mbarë skenës sonë artistike.

Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës e humbi një koleg dhe mësues të vyer, ndërsa shoqëria jonë një artist të madh. Kujtimi, vepra dhe mësimet e tij do të mbeten përherë pjesë e identitetit tonë kulturor e akademik.

Në këto momente të dhimbshme, në emër të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve, kolegëve, studentëve dhe gjithë dashamirëve të profesorit tonë të nderuar.

Qoftë i paharruar kujtimi i tij!

Prof. Hazir Haziri

Dekan i Fakulteti të Arteve