Vizita e Ambasadorit të Italisë në Fakultetin e Arteve

16 Prill 2026
SHARE

Në një atmosferë miqësore dhe frymëzuese, sot Fakulteti i Arteve mirëpriti Ambasadorin e Italisë në Republikën e Kosovës, z. Maurizio Antonini, i shoqëruar nga bashkëpunëtorja e tij.
Takimi u zhvillua nën mikpritjen e Dekanit, prof. Hazir Haziri, dhe Prodekanit, prof. Zeni Ballazhi. Në këtë frymë bashkëbisedimi, u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në fushën e artit në përgjithësi – në artet dramatike, artet vizuale dhe artet muzikore. Me këtë rast, u theksua gatishmëria e ndërsjellë për thellimin e bashkëpunimit dhe për gjetjen e formave të reja të zhvillimit të tij.
Në një frymë mirëkuptimi dhe vullneti të përbashkët, palët u dakorduan që ky bashkëpunim të thellohet në të ardhmen, duke ndërtuar ura lidhëse edhe me universitete italiane, në shërbim të zhvillimit artistik dhe shkëmbimit kulturor.
Në fund të vizitës, Ambasadori Antonini vizitoi ekspozitën e studentëve “Shelter of small traces” të hapur në Galerinë e Fakultetit të Arteve, ku u njoh nga afër me botën krijuese dhe ndjeshmërinë artistike të gjeneratës së re.