Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se Prof. Hysni Krasniqi, një nga figurat më të shquara të artit grafik dhe një pedagog i përkushtuar, është ndarë sot nga jeta.
I lindur në vitin 1942 në Llukar, Prishtinë, Prof. Krasniqi la një trashëgimi të pasur në artin vizual dhe arsimin artistik. Studimet i përfundoi në Akademinë e Arteve të Beogradit, ku më vonë magjistroi nën mentorimin e grafistit të njohur Boško Karanović. Me themelimin e Fakultetit të Arteve në Prishtinë, ai iu bashkua stafit akademik në vitin 1974 dhe për dekada me radhë udhëhoqi dhe frymëzoi gjenerata të tëra artistësh si profesor i rregullt i grafikës. Prof. Krasniqi ishte një krijues i pasionuar, i cili në veprat e tij shpesh trajtonte temat e jetës rurale dhe trashëgimisë kulturore të Kosovës. Me ekspozita të shumta brenda dhe jashtë vendit, ai mbetet një figurë e rëndësishme në historinë e artit bashkëkohor shqiptar.
Në këto momente të dhimbshme, Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve dhe të gjithë atyre që patën nderin ta njohin dhe të punojnë me të. Trashëgimia e tij artistike dhe akademike do të jetojë përherë në brezat e rinj të artistëve.
Varrimi do të bëhet sot, më 14 mars 2025, në varrezat e fshatit Llukar, në orën 16:30.
Familja do të presë ngushëlime në Grand Hotel për tri ditë, nga ora 10:00 deri në 17:00. I paharruar qoftë kujtimi i tij!
Njoftim për Ndarjen nga Jeta të Profesorit Hysni Krasniqi
