Prof. Asoc. Rreze Kryeziu Breznica realizoi ligjëratë në Universitetin Fryderyk Chopin në Varshavë

04 Mars 2026
SHARE

Në një aktivitet të veçantë akademik, Prof. Asoc. Rreze Kryeziu Breznica zhvilloi një ligjëratë në Universitetin Fryderyk Chopin të Muzikës në Varshavë, Poloni – universiteti më i vjetër dhe më i madh i arsimit të lartë muzikor në Poloni, i njohur ndërkombëtarisht për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në muzikën klasike dhe edukimin muzikor.

Gjatë prezantimit, Prof. Kryeziu Breznica theksoi faktorët kryesorë dhe komponentët e muzikës artistike shqiptare, duke trajtuar ndikimet historike, zhvillimin institucional, veprimtarinë e kompozitorëve dhe rolin e brezave të rinj. Ligjërata u zhvillua në Sallën Karol Szymanowski, ku studentët e Departamentit të Kompozimit ndoqën me interes dhe kureshtje diskutimin mbi trashëgiminë dhe potencialin e muzikës artistike të Kosovës.

Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm në promovimin ndërkombëtar të muzikës artistike të Kosovës dhe vazhdimin e bashkëpunimeve kulturore dhe akademike me institucione prestigjioze ndërkombëtare.