Më 13 Maj, në ora 13:00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë, do të mbahet promovimi i librit për piano “Dashuri për shkallët”, me autor Agron Shujaku.
Ky botim vjen si një kontribut i veçantë në fushën e pedagogjisë pianisitike në Kosovë, duke u konsideruar si libri i parë pedagogjik për piano në vend. Libri synon të avancojë proceset e mësimdhënies dhe të të nxënit në institucionet muzikore, përmes një qasjeje të strukturuar dhe bashkëkohore në zhvillimin teknik dhe artistik në piano.
“Dashuri për shkallët” paraqet një burim të rëndësishëm didaktik për nxënës, studentë dhe pedagogë të muzikës, duke kontribuar në pasurimin e literaturës profesionale në gjuhën shqipe në këtë fushë.
Në kuadër të promovimit, autori do të prezantojë konceptin dhe strukturën e librit, duke vënë në pah rëndësinë e tij në praktikën pedagogjike bashkëkohore. Po ashtu, pritet të zhvillohet një diskutim profesional mbi sfidat dhe perspektivat e metodologjisë së mësimdhënies së pianos.
Ky aktivitet pritet të mbledhë profesorë, studiues, studentë dhe dashamirë të muzikës, duke shënuar një moment të rëndësishëm për zhvillimin e literaturës muzikore në Kosovë.
