Më 21 mars 2025, në ambientet e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, u mbajt akademia përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së Prof. Hysin Krasniqit, i cili u nda nga jeta më 14 mars 2025.
Të pranishmit, përfaqësues të institucioneve akademike, kolegë, studentë dhe familjarë, nderuan figurën dhe kontributin e njërit prej themeluesve të arsimit të lartë artistik në vend.
Në fjalimet e mbajtura u theksua roli i tij si artist me vokacion të thellë, si pedagog i përkushtuar dhe si edukator i brezave të rinj të krijuesve.
Dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. Dr. Hazir Haziri, vlerësoi veprën e tij artistike dhe angazhimin e tij në ndërtimin e institucionit.
Prof. Akademik Ismet Jonuzi e përshkroi atë si një figurë qendrore të brezit të parë të artistëve bashkëkohorë në Kosovë, duke analizuar në mënyrë poetike grafikën dhe krijimtarinë e tij.
Prof. Esat Valla, si mik dhe koleg i afërt, solli kujtime personale dhe ndau reflektime të sinqerta mbi bashkëpunimin dhe jetën akademike që ndanë.
Në fund, Z. Edon Krasniqi, djali i profesorit të ndjerë, falënderoi Fakultetin dhe Universitetin për nderimin e bërë ndaj të atit.
Kujtimet për të si koleg, mik dhe njeri me integritet të lartë u ndanë me respekt të thellë.
Në përmbyllje të akademisë, një studente e Departamentit të Muzikës interpretoi në piano një pjesë muzikore në shenjë nderimi për figurën e tij.
Fakulteti i Arteve shpreh mirënjohje të thellë për kontributin e Prof. Hysin Krasniqit dhe mbetet i përkushtuar në ruajtjen e kujtimit dhe trashëgimisë së tij profesionale, artistike dhe njerëzore.