DEPARTAMENTI I ARTEVE DRAMATIKE
Departamenti i Arteve Dramatike (DAD) është program studimor në kuadër të Fakultetit të Arteve dhe përfaqëson një nga programet kryesore të arsimit të lartë artistik në Kosovë. Aktualisht, Departamenti ka rreth 250 studentë aktivë, 34 profesorë me kohë të plotë, 1 profesor me kohë të pjesshme nga Universiteti i Prishtinës, 20 profesorë ndihmës me kohë të pjesshme, si dhe 1 profesor vizitor.
Programi i Arteve Dramatike ofron studime në shtatë specializime në nivelin Bachelor (BA). Të gjitha specializimet kanë 240 kredite ECTS, të shpërndara në mënyrë të barabartë gjatë katër viteve akademike. Gjuha e mësimdhënies në nivelin Bachelor është gjuha shqipe.
Planprogramet e Departamentit të Arteve Dramatike janë ndërtuar në përputhje me standardet bashkëkohore akademike dhe pedagogjike, si dhe bazuar në modelet e shkollave të filmit dhe teatrit me renome në rajon dhe në botë, duke u përshtatur me kontekstin kulturor dhe nevojat e industrisë kreative në Kosovë.
Të gjitha specializimet bashkëpunojnë për projektet studentore filmike e teatrore semestrale dhe vjetore sipas rregullores së brendëshme.
Rezultatet e të nxënit janë në përputhje me Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve dhe me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve (EQF), niveli 6. Programi i kushton rëndësi të veçantë punës praktike, e cila realizohet përmes projekteve teatrore, filmike dhe audiovizuale, laboratorëve krijues dhe bashkëpunimeve institucionale e ndërkombëtare.
Specializimet Bachelor (BA)
Aktrim (BA)
Specializimi Aktrim (BA) është i orientuar drejt përgatitjes profesionale të aktorëve për punë në teatër, film, televizion, radiodramë dhe forma të tjera të interpretimit performativ. Gjatë studimeve, studentët përvetësojnë teknika të avancuara të aktrimit, zhvillojnë aftësi të lojës skenike, ndërtimit të rolit dhe të interpretimit artistik.
Programi fokusohet në formimin profesional të aktorit për punë në teatër, film dhe media audiovizuale, duke zhvilluar aftësi të avancuara të interpretimit skenik, ndërtimit të rolit dhe të karakterit. Studentët aftësohen për bashkëpunim profesional në proceset krijuese me regjisorë, dramaturgë, skenaristë dhe ekipe artistike, si dhe për angazhim të përgjegjshëm dhe të pavarur në prodhime teatrore dhe filmike nën udhëheqje akademike.
Regji Teatri (BA)
Specializimi Regji Teatri (BA) është i dizajnuar për formimin e regjisorëve profesionistë të teatrit. Programi u ofron studentëve njohuri teorike dhe praktike për zhvillimin e tyre krijues, artistik dhe profesional në fushën e regjisë teatrore.
Gjatë studimeve, studentët mësojnë të shfrytëzojnë në mënyrë të pavarur potencialin e tyre krijues dhe intelektual për konceptimin, organizimin dhe realizimin e shfaqjeve teatrore për audienca të ndryshme. Po ashtu, ata fitojnë njohuri bazike për angazhim dhe asistencë edhe në fusha të tjera të artit skenik, përfshirë filmin dhe televizionin.
Regji Filmi dhe Televizioni (BA)
Specializimi Regji Filmi dhe Televizioni (BA) në Fakultetin e Arteve në Prishtinë është programi i vetëm i këtij profili në Kosovë. Programi ofron një qasje gjithëpërfshirëse ndaj procesit të filmbërjes, duke përfshirë të gjitha fazat, nga ideja dhe zhvillimi i skenarit deri te realizimi dhe prezantimi final.
Studimet janë të orientuara drejt përgatitjes profesionale të studentëve për integrim në industrinë e filmit dhe televizionit. Studentët bashkëpunojnë ngushtë me specializime të tjera në realizimin e projekteve filmike dhe multimediale, duke zhvilluar aftësi të punës ekipore, menaxhimit krijues dhe përgjegjësisë profesionale.
Dramaturgji dhe Skenar Filmi dhe TV (BA)
Specializimi Dramaturgji dhe Skenar Filmi dhe TV (BA) është themeluar në fillim të viteve ’90 dhe përfaqëson një nga programet më të konsoliduara në këtë fushë në Kosovë. Qëllimi i tij është përgatitja e studentëve për krijimin e veprave dramatike dhe skenarëve për film dhe televizion.
Studentët njihen me dramaturgjinë klasike dhe bashkëkohore, teorinë e dramës, teatrin modern dhe format bashkëkohore të skenarit filmik dhe televiziv. Programi zhvillon mendimin kritik, pavarësinë krijuese dhe aftësitë profesionale për angazhim në teatër, film, televizion dhe fusha të tjera të kulturës.
Dizajn Skenik dhe Kostumografi (BA)
Ky specializim u mundëson studentëve të fitojnë njohuri dhe shkathtësi profesionale për punë si skenografë dhe kostumografë në teatër, film dhe televizion. Programi fokusohet në zhvillimin e aftësive kreative, vizuale dhe teknike në dizajnin skenik dhe kostumografik.
Studentët aftësohen për bashkëpunim ndërdisiplinor me regjisorë, aktorë, dramaturgë, skenaristë dhe ekipe produksioni, si dhe për vlerësim kritik dhe interpretim të pavarur artistik të veprës skenike dhe filmike.
Produksion (BA)
Specializimi i Produksionit (BA) synon pajisjen e studentëve me njohuri teorike dhe praktike në fushën e produksionit teatror dhe filmik. Studentët njihen me organizimin e proceseve krijuese, menaxhimin e projekteve artistike dhe teknikat bazë të punës në sheshxhirime dhe prodhim teatror.
Programi përgatit studentët për angazhim profesional si producentë, menaxherë kulturorë apo specialistë të pavarur në institucione kulturore dhe kreative, brenda dhe jashtë vendit.
Kamerë dhe Montazh (BA)
Specializimi Kamerë dhe Montazh (BA) është programi i vetëm i këtij profili në Kosovë. Programi është i orientuar drejt përgatitjes profesionale të studentëve në fushën e kinematografisë dhe montazhit, në përputhje me standardet bashkëkohore të industrisë audiovizuale.
Studimet përfshijnë të gjitha fazat e procesit të filmbërjes dhe u mundësojnë studentëve të zhvillojnë kompetenca teknike dhe artistike për integrim të drejtpërdrejtë në industrinë e filmit dhe televizionit.
Mundësitë e punësimit
Të diplomuarit e Programit të Arteve Dramatike janë të përgatitur për punësim ose angazhim profesional si freelancerë në:
- Teatro publike dhe private.
- Trupa teatrore dhe kompani të pavarura artistike;
- Shtëpi filmike dhe produksione audiovizuale;
- Televizione, media digjitale dhe platforma multimediale;
- Institucione kulturore, festivale dhe organizata kulturore;
- Institucione arsimore dhe projekte kulturore ndërkombëtare;
- Industri kreative dhe sektorë të lidhur me artin dhe kulturën.