Njoftim Publik – Ekspozita Solemne e Diplomës për GJENERATËN 2025
Hapja: 27 maj 2025, ora 12:00
Vendndodhja: Galeria e Fakultetit të Arteve, Universiteti i Prishtinës
Të nderuar profesorë, studentë, anëtarë të stafit akademik dhe administrativ, prindër, miq të artit dhe publik i gjerë,
Fakulteti i Arteve ka kënaqësinë t’ju ftojë në hapjen solemne të Ekspozitës së Diplomës të studentëve të Gjeneratës 2025, e cila do të mbahet më 27 maj 2025, në ora 12:00, në Galerinë e Fakultetit të Arteve. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 06 qershor 2025.
Kjo ngjarje shënon përmbylljen e një etape të rëndësishme akademike dhe artistike për studentët tanë dhe njëkohësisht paraqet një moment reflektimi mbi zhvillimin profesional të tyre në fushën e arteve vizuale. Ekspozita përfshin veprat përfundimtare të diplomës nga të gjitha profilet e studimit dhe paraqet një dëshmi konkrete të përkushtimit, talentit dhe kreativitetit të kësaj gjenerate të re artistësh.
Përveçse është një ngjarje me karakter akademik dhe institucional, kjo ekspozitë është një festë publike e artit, që fton të gjithë dashamirët e krijimtarisë të bashkëbisedojnë me veprat dhe autorët e tyre në një ambient të hapur, frymëzues dhe dinjitoz.
Të pranishëm në ceremoni do të jenë përfaqësues të Rektoratit, udhëheqës të fakultetit, profesorë, studentë, familjarë dhe miq të shumtë. Ekspozita shërben edhe si pjesë e kalendarit të ngjarjeve zyrtare të Fakulteti të Arteve dhe është pjesë e trashëgimisë sonë vjetore në promovimin e vlerave të mirëfillta akademike e artistike.
Ju mirëpresim të gjithëve, me nderim dhe respekt,
Fakulteti i Arteve
Ju ftojmë të ndani këtë njoftim me miq dhe kolegë të interesuar. Galeria do të jetë e hapur çdo ditë pune deri më 06 qershor 2025.