Profesorët Betim Krasniqi (trombon), Avni Krasniqi (trumpetë) dhe Ilir Kodhima (korno), nga Departamenti i Muzikës në Fakultetin e Arteve – Universiteti i Prishtinës, morën pjesë në konferencën ndërkombëtare World Brass Conference, e cila u mbajt javën e kaluar në Konservatorin “Giuseppe Verdi” në Ravenna, Itali.
Gjatë kësaj ngjarjeje prestigjioze, ata ndanë përvojat e tyre artistike dhe pedagogjike me kolegë dhe studentë nga vende të ndryshme, përfshirë SHBA-në, Italinë, Shqipërinë, Greqinë, Serbinë, Spanjën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Kosovën. Pjesëmarrja e tyre përfshiu mbajtjen e masterklasave dhe interpretimin në koncerte, duke ofruar një pasqyrë të nivelit të lartë të arsimit muzikor në Kosovë.
Aktivitetet e konferencës u zhvilluan në disa prej hapësirave më të rëndësishme kulturore të qytetit të Ravenës, si Teatri “Dante Alighieri” dhe Sala Dantesca në Bibliotekën “Classense”, duke krijuar një atmosferë të pasur artistike dhe bashkëpunuese.
Pjesëmarrja e profesorëve nga Universiteti i Prishtinës në këtë konferencë ndërkombëtare konfirmon përkushtimin e tyre ndaj shkëmbimit ndërkombëtar të njohurive dhe promovimit të muzikës klasike në një kontekst global.