Hapja e Ekspozitës 30 Vjet Art

26 Dhjetor 2021
SHARE

Me datë 22.12.2021 duke filluar nga ora 17:00, në Galerinë e Fakultetit të Arteve u hap Ekspozita 30 Vjet Art e Prof. Muhamet Ahmeti-Metis. Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, fjalën hyrëse e paraqiti koordinatori i GFA Prof. Adem Rusinovci, për të vazhduar pastaj Dekani i Fakultetit të Arteve Prof. Hazir Haziri, i cili përshendeti të pranishmit dhe potencoi rëndësinë e organizimeve të tilla në Galerinë e Fakultetit të Arteve, edhe për të mirën e studentëve. Në vazhdim, kuratorja e ekspozitës Prof. Majlinda Kelmendi përshkroi veprimtarinë e autorit, duke specifikuar realizimet e ilustrimeve tematike dhe trajtimin origjinal të këtyre veprave. 
Në fund fjalën e mori autori i projektit 30 Vjet Art, Prof. Muhamet Ahmeti – Metis, i cili i përshëndeti të pranishmit dhe konkretizoi veprimtarinë e tij gjatë këtyre viteve dhe planet e tij në vazhdim. Ai gjithashtu falenderoi mbështetësit e projektit, Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit, Fakultetin e Arteve të UP “Hasan Prishtina” si dhe autorët të cilët u angazhuan në shkrimet për monografinë. Pastaj të pranishmit vazhduan t’i shohin veprat më për së afërmi dhe të diskutojnë për to me nga një gotë në koktejin e shtruar për aktivitetin.